Universiteti “Vitrina” Çdo regjistrim në SH.L.U.P “Vitrina” në secilin prej fakulteteve: 490 Euro / 1 Vit ose …
Fjala përshëndetëse e Rektorit Prof. Dr. Mario KEDHI Rektor i Universitetit Vitrina
Të dashur studentë!
Ju uroj mirëseardhjen në Universitetin ‘Vitrina’’në vitin e ri akademik. Është viti i tretë që ky universitet ka hapur dyert e tij për shumë studentë nga mbarë Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.
Numri i tyre po rritet nga viti në vit. Ky vit akademik e gjen Universitetin –’’Vitrina’’ më të konsoliduar nga ana institucionale, akademike dhe me perspektiva më inkurajuese për të ardhmen. Misioni i Universitetit tonë është që të ofrojë arsimim me cilësi të lartë në të gjitha disiplinat dhe të zhvillojë kapacitete intelektuale dhe profesionale të studentëve, duke ofruar programe me përmbajtje bashkëkohore dhe teknologji moderne.
Detyra që i kemi vënë vetes si drejtues të këtij institucioni është; t’ju mbështesim plotësisht në rrugën tuaj drejt maksimizimit të potencialeve tuaja dhe arritjes së objektivave që keni vendosur.
Stafi akademik dhe administrativ janë përkushtuar për t’ju krijuar një mjedis akademik sa më gjallërues, motivues, por mbi të gjitha sfidues. Kohët e fundit kemi investuar gjërësisht në mjediset universitare me bibliotekën e Universitetit, me laboratore, etj. investime të cilat nuk do të reshtin as në vitet e ardhshme me qëllim që t’ju ndihmojmë në arritjet tuaja profesionale.
Në kuadrin e përmirësimit të vazhdueshëm të Universitetit, kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Universitete me famë dhe me reputacion në nivel ndërkombëtar për shkëmbim përvoje, për takime shkencore dhe punë kërkimore me interes të përbashkët, për realizimin e projekteve në fushën e kërkimit shkencor. Ndërkohë jemi në prag të nënshkrimit të marrëveshjeve të tjera të kësaj natyre.
Të gjithë jemi dëshmitarë të ndryshimeve të shpejta dhe shumë dimensionale që po ndodhin sot në botë, në nivel rajonal dhe global. Ky realitet krijon mundësi pa fund për të gjithë ju dhe qëllimi ynë është që një diplomë nga Universiteti “Vitrina” t’ju përgatisë për ekonominë e së nesërmes, e bazuar në njohuri dhe inovacion.
Së bashku, ne dhe ju, le të përpiqemi ta bëjmë Universitetin “Vitrina”, vitrinë të të gjithë universiteteve në Shqipëri.
Dhe ju të dashur studentë, do të ndiheni krenarë që jeni diplomuar në këtë universitet.
Ju uroj suksese gjatë studimeve në Universitetin “Vitrina”!